“DI”, SEPSE UNË DI QË TI DI EDHE KUR PAK E DINË
Ne besojmë tek ti! Ne dimë që tek çdo individ ka një potencial të pa zbuluar. Atë potencial do të zbulojmë bashkë, më pas do ta perfeksionojmë dhe do ta mbështesim si çelësi i suksesit.
Fondacioni “DI” është krijuar me vullnetin i një grupi akademikësh dhe studiuesish shqiptarë. Në ideimin e këtij fondacioni, shtysa e kolegëve të komunikimit në universitetet perëndimore si LSE, Oxford, janë pika mbështetëse e “Levës sonë të Arkimedit”. Themeluesit e këtij fondacioni janë një grupim besimi. Të tjerë personalitete të spikatura qëndrojnë në mbështetje të këtij projekti dinjitoz.
Është emërtuar “DI”, sepse dija është investimi i vetëm i sigurt për këdo dhe kudo në çdo pikë të globit. Por dija është vetëm nisja e formimit. Formimi është shumë më shumë se dije, është bashkimi i eksperiencave dhe marrja e më të mirës nga më të suksesshmit. Individi i formuar është individi i farkëtuar me përvojën, përpjekjen dhe aftësimin e përhershëm; Fondacioni “DI” është fryt i këtyre qëndrimeve.
Dëshmitë e më të suksesshmëve, në politikë, akademi, administratë, korporata private, na tregojnë që vetëm njohja e “gjuhës” së shoqërisë, leximi i “kodeve” kulturore dhe aftësimi i komunikimit me teknikat më bashkëkohore është “çelësi hapës” i portës së tregut profesionist.
Fondacioni “DI” synon zhbërjen e opinionizmit në leximin e kuptimin e shoqërisë shqiptare. Ne do të lexojmë dhe analizojmë fenomenet shqiptare bazuar në kërkime cilësore dhe sasiore që bazohen në gjetje statistikore. Këto gjetje do të kthehen në module trajnimi të vendimarrjes dhe lidershipit; si dhe tryeza mendimi me studiues dhe njohës profesionistë.
Fondacioni “DI” gjallon si një rrjetë ndërlidhëse me personalitetet më të spikatura në politikë, ekonomi e akademi.